Itinerari nis në qendrën e kuajve me përzgjedhjen e kuajve dhe udhëzimet paraprake. Fillimisht do të kalërojmë drejt luginës së Drinos. E parë nga kreshta e kodrës lugina ofron një panoramë magjie në çdo stinë.
Itinerari vijon me kalërimin përgjatë luginës mes fshatrave “Arshi Lengo” dhe “Asim Zeneli” dhe më tej fillojmë sërish ngjitjen drejt kodrës së Llazarit. Gjithë itinerari është një udhëtim i vendosur në zemër të jetës rurale.
Kuajt janë ngjitës të shkëlqyer të këtyre shtigjeve dhe kalërimi në ngjitje është pjesa më e bukur e kësaj eksperience. Dy guida në fillim dhe në fund të grupit do të udhëheqin gjithë programin e kalërimit.
Pas mbërritjes në qendrën e kuajve programi do të zhvendoset rreth zjarrit në kopshtin e një shtëpie në fshatin “Asim Zeneli”. Atje do pjekim petanikun në saç, një gatim i traditës qindravjeçare të Jugut përzier me aromën e dhjozmës dhe trëndelinës. Petanikun e ngrohtë do ta shoqërojmë me raki shtëpie, ngrohtësinë e bisedave dhe mikpritjes lokale.