Kjo është një dilemë që i ndan më dysh opinionet mes adhuruesve të kuajve dhe adhuruesve të qenve.
Sepse në fakt qeni është një kafshë karizmatike që e shpreh afeksionin dhe ndenjat. Qeni është kafsha e parë e zbutur prej njeriut më shumë se 30 mijë vite më parë, kohë kur nuk mund ta dalloje nga familja e ujkut. Qeni e mbështeti njeriun në mijëravjeçarë duke ja bërë më të lehtë gjuetinë dhe duke i siguruar mbrojtje. Ai është në gjendje ti shprehë emocionet si askush tjetër dhe mund të japë shpirtin për të kënaqur të zotin. Prej mijëra vitesh qeni e ndan ushqimin me ne dhe në një farë mënyre dashuria e tij ta shkrin zemrën. Ishte afeksioni që dhuruan qentë, që kolonizoi botën humane por në ndryshim nga kuajt qentë na u afruan vetë.
Imaginoni, njerëzimi ka shpenzuar shumë më tepër kohë duke i gjuajtur kuajt për ushqim sesa duke i kalëruar ata.
Kuajt nuk kishin nevojë për ne për të mbijetuar. 6000 vjet më parë kur filloi zbutja e kuajve stepat ishin gjithë bar të lartë të mjaftueshëm për të siguruar mbijetesën e tyre. Ata ishin të fuqishëm dhe të shpejtë, të pavarur dhe me një jetë të mirë. Nuk dihet sesi pranuan që të na transportonin në shpinën e tyre për të na dhënë fuqi, shpejtësi dhe rezistencë për të arritur aty ku kurrë nuk mund të arrinim me këmbë. Kur qenia më inteligjente në botë hypi mbi vrapuesin më rezistent mbi tokë filloi të krijohet historia.
Mendoni pak, mos vallë e krijuam historinë moderne të njeriut duke përdorur fuqinë e qenve?
Jo, qentë janë ato qeniet e dashura që përmendëm më sipër, por kuajt na dhanë ne superfuqi si shpejtësinë, forcën e tërheqjes, lartësinë dhe nëse jemi të vëmëndshëm për ta vëzhguar, edhe një shoqëri me natyrë të thellë dhe të komplikuar.
Kuajt transformuan historinë njerëzore, shembën civilizimet e vjetra dhe ndërtuan të reja, e bashkuan botën në një komunitet të dijes dhe na shtynë përpara me shpejtësi përtej barierrave.
Kuajt vijojnë të kenë rëndësi në jetën e njerëzimit. Megjithëse fuqitë e tyre u zevendësuan nga makinat, ata mbeten atletë të lindur dhe përbëjnë një prej industrive sportive dhe të zbavitjes më të rëndësishme në botë. Ata janë në gjendje të të mësojnë shumë për jetën.
Prej kalit tuaj do të mësoni të dëgjoni. Kushdo që ka kaluar kohë me kuajt pajtohet se të dëgjuarit është thelbi i komunikimit. Kuajt janë qenie që kanë nevojë të komunikojnë vazhdimisht. Ata kanë 17 shprehje të ndryshme të fytyrës, një më shumë se qentë dhe vazhdimisht “flasin”. E rëndësishme është të jini të vëmendshëm dhe të lexoni sjelljen.E njëjta gjë vlen edhe për jetën. Hapi më kritik në komunikim është të dëgjuarit.
Prej kalit do të mësoni të mos mërziteni. Kali ju mëson sesi të keni shumë alternativa dhe sesi ta mbani mendjen të angazhuar tek veprimet që bëni. Kali rrallë mërzitet nga një kalorës i kujdesshëm, që ndërmerr shtigje të rehatshme dhe me fantazi.
Prej kalit do të mësoni të gjeni vendin tuaj të lumtur, këndin tuaj në botë. Ndihmojeni një kalë të gjejë vendin e tij të lumtur dhe ai do të jetë entusiast, i sigurtë dhe bashkëpunues. Ai do të ndjejë se përket me ju, do t’ju japë vetëbesim dhe lirshmëri. I njëjti mësim na duhet edhe në jetë. Duhet të gjejmë vendin që na bën të lumtur.
Prej kalit do të mësoni të gjeni ekuilibrin tuaj. Gjetja e ekuilibrit të duhur ndërsa kalëron kërkon kohë dhe këmbëngulje. Graviteti është një sfidë e përjetshme, për të gjithë.Sidoqoftë pasi të keni arritur një nivel bazë ekuilibri gjërat rrjedhin më mirë, kalërimi bëhet më i lehtë, ju dhe kali juaj jeni më të lumtur. Edhe në jetë gjetja e ekuilibrit kërkon punë dhe vendosjen e raporteve të duhura mes interesave.
Prej kalit do të mësoni të njihni limitet tuaja. Kalërimi është një proces ku kalorësi mëson gjatë gjithë jetës. Sa herë arrihet një nivel synohet niveli i rradhës, synohet përmirësimi dhe zbulimi.Ashtu sic mund të mësoni gjithnjë dicka të re ndërsa kalëroni me këmbëngulje, paralelisht zotëroni edhe aftësinë për të mësuar limitet tuaja në jetë, pikat tuaja të dobta dhe të forta. Ka kaq shumë nivele të të kuptuarit në cdo gjë. Sokrati ishte i pari që zbuloi paradoksin e të mësuarit: “Sa më shumë të dish, aq më shumë kupton, se nuk di asgjë.”